Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, paralajmëron se pritshmëritë ekonomike, janë që në gjysmën e dytë të vitit çmimet të stabilizohen.
Në një konferencë për mediat gjatë paradites, Ibrahimi tha se çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar.
“Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga gjashtë mujori i dytë i këtij viti”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur 21% në krahasim me një vit më parë dhe se gjithçka ka ardhur si rezultat i ecurisë së mirë ekonomike.
Sipas ministres, edhe punësimi ka pasur një trajektore rritëse.
Lidhur me procesin e fiskalizimit, shtoi se 89% e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit, ndërsa bizneset që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit janë mbi 72 mijë.
Deklarata e ministres së Financave dhe Ekonomisë, u bë gjatë analizës ekonomike për vitin që lamë pas dhe muajin e parë të vitit 2022.



