
Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore, e cila ka për qëllim të shmangë rrezikun e kredive të këqija. Konkretisht, rregullorja e re parashikon një sërë masash që aplikohen në rastet kur një biznes në vështirësi financiare nuk arrin të paguajë kredinë e marrë nga bankat.
Në bazë të rregullores për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat të kredimarrësve në vështirësi financiare, bankave u jepet e drejta të bëjnë ndryshime në strukturën dhe mënyrën e drejtimit të subjektit në vështirësi financiare.
Praktikisht, një biznes në pamundësi për të paguar kredinë, duhet të pranojë sugjerimet e kredidhënësit për strukturën apo strategjitë e drejtimit të saj.
Masa të tjera përfshijnë: zgjatjen e afatit të kredisë, dhënien e financimeve shtesë, nëse nevojitet rritja e kapitalit qarkullues dhe/ose financimi i investimeve të reja, likujdimi i aktiviteteve dytësore që nuk lidhen direkt me biznesin, rritjen e kapitalit të financimit, shitjen e pasurive të luajtshme e të paluajtshme, konvertimin e borxhit në kapital etj.
Kredimarrës në vështirësi financiare konsiderohen ato biznese që kanë marrë kredi në një ose më shumë banka në një total më të madh se 250 milionë lekë dhe kanë një vonesë prej të paktën 90 ditë në shlyerjen e këstit.
Rregullorja parashikon fillimisht një marrëveshje mes bankave, e asistuar nga Banka e Shqipërisë, dhe që ka për qëllim përcaktimin e kushteve të bashkëpunimit kredidhënës-kredimarrës në vështirësi.
Ndërkohë, në terma konkretë, kur bankat që kanë dhënë kredi nënshkruajnë marrëveshje me bizneset në vështirësi financiare, kanë të drejtë ta përshtasin atë sipas nevojave të rastit.



