Shqiptarët vijojnë të mbeten në fund të klasifikimeve evropiane sa i përket nivelit të të ardhurave, fuqisë blerëse dhe rrezikut të lartë nga varfëria, një realitet ky që po rëndon gjithnjë e më shumë mbi standardin e jetesës. Gjatë një diskutimi në ‘MCN Economy’, sociologia Entela Binjaku, së bashku me pedagogen e ekonomisë Romina Radonshiqi, kanë analizuar faktorët kryesorë që po e thellojnë këtë krizë sociale dhe ekonomike në vend.
Sipas Binjakut, rritja e vazhdueshme e çmimeve ka asgjësuar çdo rritje të mundshme të të ardhurave për familjet shqiptare, duke i ekspozuar ato ndaj privimeve të shumta në një shoqëri gjithnjë e më konsumiste.
Të ardhurat e ulëta e kategorizojnë individin në një shtresë të caktuar shoqërore dhe sa më të ulëta të jenë ato, aq më i ekspozuar është ai ndaj vështirësive që i sjell jeta, ku shpesh për individë të caktuar ose për të gjithë, kjo nënkupton mungesë mundësish apo privim të plotë, duke bërë që sa më të ulëta të jenë të ardhurat, aq më të larta të jenë edhe këto privime në jetën e përditshme. Unë mendoj se rritja e të ardhurave nuk është reflektuar aspak në rritjen e mirëqenies, pasi krahas saj ka ardhur edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve, gjë që e ka bërë të papërfillshme çdo rritje të ardhurash. Në fakt, ne jetojmë sot në një shoqëri konsumiste ku çdo ide shndërrohet në mall dhe produkt për t'u shitur, ndërkohë që kërkesa për cilësinë e jetës është e ndryshme dhe jo domosdoshmërisht këto kërkesa janë në të njëjtën shkallë me të ardhurat që siguron një individ apo një familje, prandaj kjo nuk reflektohet në rritjen e mirëqenies. Një ndër arsyet pse qytetarët tanë hyjnë në krizë lidhet me faktin se ata kuptojnë që janë edhe më të varfër se ç'e mendonin, dhe kjo e rrit edhe më shumë krizën te qytetarët tanë, pra ajo rritja e të ardhurave u vendos përpara një varfërie edhe më të madhe sepse ata vetë kanë rritur pritshmëritë për jetën.
Nga ana tjetër, pedagogia Romina Radonshiqi u ndal te mungesa e saktësisë në statistikat zyrtare dhe te fakti se varfëria e vërtetë tejkalon shifrat e deklaruara, duke prekur edhe shtresën e mesme që përballet me kosto të larta jetese si qiratë dhe kreditë.
Sa i përket rrezikut për të qenë të varfër, zyrtarisht deklarohet se kemi 30% të popullsisë të varfër, por unë mendoj se realisht jemi më shumë se kaq, diku te niveli 40%. Kur flasim për rrezikun për të qenë të varfër, e kemi fjalën për individë me të arka nën mesatare apo mesatare, pasi mjafton të shohim se sa individë në Tiranë kanë shtëpinë e tyre apo janë duke paguar një qira që shkon sa gjysma e pagës, apo paguajnë një këst kredie, gjë që tregon se risku real për të qenë të varfër është shumë më i madh nga sa deklarohet. Ka një mungesë të theksuar me statistikat zyrtare, kështu që për sa kohë kemi remitancat që mbulojnë një pjesë të mirë të nevojave, unë mendoj se shkalla e rrezikut është më e lartë se ajo që raportohet. Te një familje shqiptare, një pjesë e mirë e të ardhurave shkon për arsimin, pasi ka shumë shqiptarë që kequshqehen vetë vetëm për të realizuar arsimimin e fëmijëve të tyre, ashtu siç sakrifikojnë edhe kur vjen puna te shëndeti, duke u detyruar të shpenzojnë nëpër spitale private për t'u kuruar. Prandaj, varfëria e shqiptarëve nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por edhe me cilësinë e jetesës, pasi shqiptarët sot mbulojnë vetëm nevojat bazë dhe varfëria nuk mund të matet vetëm me të ardhurat, por edhe me cilësinë e shërbimeve që ofron ky vend.



