Ekspertja e ekonomisë Valbona Sakollari, thotë se rritja e çmimit të naftës është reflektuar tek çmimet e ushqimeve të shportës.
Nga studio e “MCN Economy” ajo deklaroi se një pjesë e madhe e produkteve të shportës ushqimore shqiptare varet nga importi si drithërat dhe ushqime të tjera.
Sipas saj, transporti ndërkombëtar mund të jetë gati sa ½ e çmimit final të blerjes së produktit.
Sakollari shtoi se rritja është kaotike dhe tregu përfiton për të fituar, pasi mungojnë instrumentet e kontrollit.
Rritja e çmimeve ishte e pritshme që në momentin e nisjes së luftës dhe në problemet e shkaktuara në Ngushticën e Hormuzit, është një efekt global të cilit ti nuk i shmangesh dot. Sidomos në vende si Shqipëria, është e pamundur që ti të mos reflektosh krizën globale. Një pjesë e madhe e shportës ushqimore shqiptare varet nga importi si drithërat dhe ushqime të tjera në sasi mjaft të larta. Kjo do të ndikojë ndërsa produkti final do të dalë në treg me të gjitha kostot e akumuluara rrugës.
Transporti ndërkombëtar mund të jetë gati sa ½ e çmimit final të blerjes së produktit. Rritja e çmimit të naftës është reflektuar tek çmimi final i shitjes së produktit. Duhet të kishim një periudhë ngrirje, ku produktet të mos e kishin reflektuar kaq shpejt. Por vendet e vogla me stabilitet të brishtë, reflektojnë kaos dhe amulli. Rritja është kaotike, tregu përfiton për të fituar.
Mungojnë instrumentet e kontrollit. Parashikimi i uljes së akcizës është një nga instrumentet për të zbutur disi krizën që tashmë ekziston, por nuk është i vetmi instrument. Nafta në Shqipëri brenda saj ka një sërë taksash. Ajo që ka në dorë qeveria, është që përmes politikës së saj fiskale, t’i reduktojë këto taksa në periudhë krize. Mund të heqë taksën e qarkullimit që nisi fillimisht si një taksë e përkohshme, me nivel shumë të ulët dhe u rrit dhe tashmë u bë fikse.
Në çmimin e naftës që ne kemi 60% është kosto e produktit dhe 40% taksa, madje kemi dhe TVSH-në mbi taksat. Konsumatori ka të drejtën të punojë, të paguajë detyrimet që i takojë dhe paguan institucionet që kujdesen për të. Qeveria si një nga aktorët kryesorë në skenën ekonomike, ka për detyrë të rregullojë këtë skenë të madhe dhe ka një sërë instrumentesh, instrumente në afatin e shkurtër në rast krizash dhe instrumente me afat më të gjatë që shtrihen.
Mund të fokusohemi në mbrojtjen e biznesit të vogël në këtë periudhë. Fokus i shtuar tek turizmi si një nga shtyllat kryesore dhe fokusimi të burimet lokale dhe diversifikimi i ekonomisë. Bujqësia si një nga shtyllat kryesore në ekonomi, ka pesë vite që është në rënie të vazhdueshme.



