Eksperti i çështjeve të Pushtetit Vendor, Agron Haxhimali tha në MCN Economy se reforma territoriale s’i ka përmbushur misionin dhe qëllimet e saj afro një dekadë pas zbatimit.
Sipas tij kjo reformë s’ka akomoduar interesat e të rinjve, prandaj sot Shqipëria ka 400 mijë qytetarë më pak se në 2015-ën. Haxhimali tha se qytetarët në zonat rurale patën më pak vendimmarrje dhe u dyfishuan shpenzimet buxhetore.

“Të bësh një reformë të tillë territoriale, administrative, s’është e lehtë. Kjo që u bë, u bë me shumë nxitim. Fakti që në 2015 ishin 2,8 milionë, dhe sot jemi 400 mijë banorë më pak, krijoj një bindje që reforma s’ka përmbushur misionin, qëllimet, s’ka siguruar shërbime, s’ka akomoduar interesat e të rinjve, të rejave, ndaj qytetarët zgjedhin rrugën të ikin.
Fakti që u mbyllën këto komuna, bashki, qytetarëve në zonat rurale iu largua ai pushteti që ata kishin për votën. Iu largua shumë qasja për të qenë vendimmarrës, apo egoja që të kem pushtetin afër, dhe do përpiqem të influencoj. Nëse shkojmë te efiçenca ekonomike, s’kemi asnjë lloj gjëje. U tha që do kursehen shpenzimet e tepërta, s’ka ndodhur asgjë, vetëm janë shumëfishuar.
U tha që do shkurtohen burimet njerëzore, në 61 njësi ne sot kemi dyfishin. 61 bashkitë e Shqipërisë kanë sot më shumë se asnjëherë tjetër numrin e punonjësve, që varion në 39 mijë punonjës”.
I pyetur a ka bashki në kolaps financiar, Haxhimali tha:
“Ka bashki me probleme financiare. Rreth 10 bashki janë me probleme financiare, dhe dy janë në vështirësi financiare, Kavaja dhe Vora. Një nga shkaqet kryesore ishte edhe borxhi që kishin para reformës”.



