
Nga dita e nesërme, 15 janar, hap dyert Dogana e Kosovës në portin e Durrësit.
Mediat e Kosovës raportojnë se në një ceremoni që është parashikuar të mbahet rreth orës 13:00, do të marrin pjesë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, njëherësh koordinator kombëtar i dy qeverive; Bedri Hamza, ministër i Financave dhe Bahri Berisha, drejtor i Doganës së Kosovës.
Hapja e kësaj zyre në Durrës do të lehtësojë tregtimin, lëvizjen e mallrave dhe udhëtarëve.
Kjo njëherësh pritet të reduktojë koston e bizneseve si dhe të ndihmojë në rritjen e ekonomive të dy vendeve përmes thellimit të bashkëpunimit.
Vendimi për hapjen e kësaj dogane është marrë në mbledhjen e përbashkët që dy qeveritë, “Rama” dhe “Haradinaj”, zhvilluan në Korçë në nëntor 2017.



