Projekti i parashikuar për zonën e Zvërnecit dhe investimi i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, vijon të jetë në qendër të debatit publik.
Lidhur me këtë projekt, kreu i Dhomës së Avokatisë Vlorë, Durim Bajramaj, në një lidhje Skype për MCN, tha se thelbi nuk qëndron te shifra e miliardave që do të shpenzohen, por te ajo çfarë do të mbetet për Vlorën dhe brezat e ardhshëm, duke qenë se Zvërneci është një pasuri natyrore.
Më tej, Bajramaj theksoi se investimi është i mirëpritur, por vetëm kur respektohet ligji.
Është mundësia e zhvillimit ekonomik të Vlorës dhe detyrimi për të mbrojtur mjedisin. Zoti Kushner tha se pronën e ka blerë nga një palë private dhe investimi do të shkojë në 4 miliardë euro. Për mua thelbi nuk është sesa miliardë do të shpenzohet, por se çfarë do të mbetet për Vlorën dhe për brezat e ardhshëm, sepse Zvërneci është një pasuri natyrore.
Janë ngritur shqetësime që qëndrojnë dhe duhet verifikimi i institucioneve kompetente, investimi është i mirëpritur, por kur respektohet ligji. Për mua çështja kryesore është, mbrojtja e Zvërnecit është e padiskutueshme.
Ai u ndal edhe tek problematika që kanë banorët që kanë toka në zonën e Zvërnecit, të cilët janë në një proces gjyqësor me Agjencinë e Trajtimit të Pronave në Tiranë për disa vendime që kërkojnë shfuqizimin e tyre.
Banorët e Zvërnecit, pra ata që janë fermerë të atyre tokave me 7501, janë në proces gjyqësor por janë kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave të Tiranës pasi kërkojnë anulimin e disa vendimeve, ata pretendojnë se toka që atyre u është dhënë me 7501 u takon atyre dhe s'mund t'i kthehet ish-pronarëve të vjetër.



