Fermerët e Lushnjës dhe Rrogozhinës protestuar sot për të tretën herë radhazi, duke kundërshtuar ndryshimin e TVSH-së për prodhuesit e qumështit. Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në rrugë e hodhën kastravecë në rrugë, duke kërkuar njëherazi tërheqjen e këtij vendimi nga qeveria.
Fermerët duke bllokuar aksin kryesor Lushnje-Fier, i bënë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga vendimi për TVSH-në si dhe të rrisë subvencionet për bujqësinë.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “nafta e traktorit tim e ka çmimin njësoj si nafta e benzit tënd”, “Ulje me 14 % të çmimit për fermerin” si dhe “Subvencionet në bujqësi në 2018 20 milionë euro, në 2019 vetëm 4 milionë euro”.
Fermerët, grumbulluesit dhe përpunuesit e produkteve bujqësore e blegtorale nga i gjithë vendi, pretendojnë se skema e re e TVSH-së, dhënë nga Ministria e Financave, i çon ata në faliment. Një pjesë e prodhimit të fermerëve nuk grumbullohet, ose merret nën kosto, dhe për fermerët kjo do të thotë falimentim.



