Kontabilisti Igli Zepishta duke folur në “Mcn Economy” tha se e sheh të pamundur sekuestron e makinave nga Tatimet për bizneset debitorë. Ai vë në dukje se s’ka ambiente për vendosjen e mjeteve të sekuestruara apo konfiskuara, po ashtu procedurat kërkojnë shumë kohë. Sipas Zepishtës kjo politikë e administratës tatimore bëhet për të ndërgjegjësojë njerëzit, duke shtuar se sekuestrot masive do krijonin probleme të mëdha sociale. Ai shton se gjatë muajit maj Tatimeve u doli nga kontrolli pjesa e mbledhjes së detyrimeve dhe njerëzit edhe u çoroditën.
“Janë dy gjëra ose paqja fiskale ka qenë për fushatë në shërbim të votave, ose në procedurat e studimit të paqes fiskale dhe amnistisë fiskale, e bëjnë administratën tatimore të kapim ca të kapim. Konfiskimi i automjeteve më duket i pamundur.
Konfiskimi ka procedure të gjatë, shumë të ndërlikuar. Ligji e lejon deri në sekuestrim, konfiskim, por janë hapa që duhen marrë më para. Ligji lejon që sekuestrimi dhe konfiskimi duhet të vlejë për borxhet e 5 viteve të fundit. Sepse ka ligj për parashkrimin. Mirë që i mblodhe, ku do t’i vendosësh?! Është e pamundur. Edhe komisariati ka probleme tani me makinat e sekuestruara që s’ka ambiente.
Kalojmë te hallka tjetër që do ngrihen grupe komisioni, do bëhet vlerësimi, do dalin në ankand. Administrata tatimore e bën këtë lloj politike edhe për të ndërgjegjësuar njerëzit që të paguajnë detyrimet. Ai mund të sekuestrojë dhe konfiskojë edhe shtëpi, dyqan, shkon deri aty, në bazë të një analize risku. S’mund të bëhet në mënyrë masive se krijon probleme të mëdha sociale.
Shqipëria klasifikohet si një vend jo shumë i përshtatshëm për të bërë biznes. Nëse s’gjen dot drejtësinë as te vendimet e gjykatave...Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut edhe ligjet fiskale janë më të lehta. Janë shumë më stabël në aspektin e ligjeve fiskale. Ligjet bëhen edhe për klane të caktuara, për të përfituar, ose për fushatë elektorale.
Administratës Tatimore i doli nga kontrolli pjesa e mbledhjes së detyrimeve tatimore, njerëzit edhe u çoroditën. Mendoj që kjo është më tepër për të tërhequr vëmendjen që detyrimet tatimore duhen paguar. Për muajin maj ishin në shifra të frikshme. 1,6 miliardë euro, kjo duhet analizuar, kush përfshihet, sa janë detyrime, se janë edhe gjoba e kamatvonesa.
Gjobat janë që nga 2009-2010 për pajisjet fiskale, punonjës të padeklaruar, etj. Amnistia mund të jetë momenti i fundit kur mund ta fillojmë nga viti zero. Sepse me përmbushjen e kushteve për në BE, s’do kesh më mundësi për amnisti fiskale”.



