Specialistja e mjedisit Besjana Guri për mbledhjen e 600 milionë eurove prej bizneseve në dy vitesh nga taksat mjedisore dhe ku më pak se 1 milionë e kësaj shume shkon për investime, thotë se investimet në këtë sektor nuk duken si prioritet i qeverisë.
Duke folur për “MCN Economy”, ajo deklaroi se edhe të ardhurat që mblidhen për mjedisin, nuk shkojnë detyrimisht për mbrojtjen e tij, por futen në buxhetin e përgjithshëm.
Sipas saj, taksat futen në buxhet të përgjithshëm dhe është e vështirë të kuptohet se ku shkojnë këto para.
Shpesh shifrat është e vështirë të gjenden se ku shpërndahen, duhet ekspertizë e mirëfilltë të kuptohet se si shpërndahen këto investime në mjedis. Ne si organizata mjedisore duhet ta kemi më të thjeshtë aksesin. Edhe të ardhurat që mblidhen për mjedisin, nuk shkojnë detyrimisht për mbrojtjen e mjedisit.
Merren taksa nga hidroenergjia dhe industria, por këto taksa futen në buxhet të përgjithshëm dhe është e vështirë të kuptohet se ku shkojnë këto para. Më shumë ka fonde nga organizata të ndryshme se sa nga shteti ynë.
Kur kemi të bëjmë me zona që dëmtohen nga ndërtimet, duhet të ketë restaurime por nuk ndodh. Ndërhyrjet në restaurimin e mjedisit, duan kohë që të japin rezultat dhe nuk duket sikur janë prioritare. Ndërkohë po shikojmë shumë pak masa për uljen e ndotjes së mjedisit.



