
Popullsia e shqipërisë po shkon drejt plakjes. Raporti i fundit i INSTAT hedh dritë edhe në shifrat që tregojnë se popullsia e Shqipërisë rrezikon të zvogëlohet me 36 mijë banorë në vitin 2031. Shkaqet kryesore janë ulja e lindshmërisë, rritja e vdekshmërisë dhe emigracioni.
Për shkak të uljes së lindshmërisë dhe rritjes së vdekshmërisë sipas projeksionit të INSTAT për periudhën 2019-2031, popullsia rrezikon të zvogëlohet.
Sipas raportit përgjatë kësaj periudhe lindjet do të vazhdojnë në të njëjtin nivel, ndërkohë që vdekjet do të vijnë në rritje cka do të bëjë që të kemi një rënie të shtesës natyrore deri në rreth 3,2 mijë në 2031. Në vitin 2031 parashikohet që numri I popullsisë të jetë 2.745.996 banorë, ndërsa skeptikët thonë më pak se 2.6 milionë banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031.
Popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha mediane e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031. Në këtë rënie të popullsisë veç dy faktorëve të lartpërmendur ndikon edhe rritja e emigracionit. Gjatë viteve 2011 – 2018, normat e emigrimit të burrave rezultuan të ishin më të larta se ato që u supozuan në projeksionet e mëparshme.
Ndërsa për gratë rezultoi e kundërta, normat e emigrimit ishin disa herë më të ulëta se ato të supozuara më pare dhe këto sjellin edhe ndryshimin e strukturës gjinore të popullsisë. Po ashtu të dhënat e bëra publike qartësojnë edhe shpërndarjen e popullsisë sipas rretheve, dhe vihet re se vetëm qarku I Tiranës do të ketë rritje të popullsisë duke arritur në rreth 954 mijë banorë.
Ndërkohë që qarqet e tjera do të jenë në zbritje dhe popullsinë më të ulët do ta kenë qarqet e Gjirokastra dhe Kukësi.



