Autoritetet iraniane ndërprenë internetin dhe linjat telefonike në të gjithë vendin mbrëmjen e së enjtes, ndërsa protestat masive kundër qeverisë u zgjeruan në dhjetëra qytete.
Demonstruesit brohoritën slogane kundër regjimit teokratik, në një klimë të tensionuar të nxitur nga kriza ekonomike dhe goditjet e ashpra të forcave të sigurisë.
Ndërprerja e internetit u vendos menjëherë pas nisjes së protestave në Teheran dhe qytete të tjera të mëdha.
Megjithatë, bllokada nuk e ndaloi plotësisht publikimin e videove nga terreni, ndërsa protestat kanë hyrë në javën e dytë.
Drejtori i organizatës monitoruese të sigurisë kibernetike NetBlocks, Alp Toker, tha për CNN se ndërprerjet kombëtare të internetit përdoren zakonisht nga autoritetet iraniane për të penguar përhapjen e informacionit dhe për të kufizuar vëmendjen ndërkombëtare, veçanërisht kur pritet përdorimi i forcës ndaj protestuesve.
Sipas raportimeve, protesta janë zhvilluar në më shumë se 100 qytete, nga Ilami në perëndim, pranë kufirit me Irakun, deri në Teheran dhe Mashhad në verilindje, pranë kufirit me Afganistanin. Autoritetet kanë reaguar me masa shtypëse, pa paraqitur zgjidhje konkrete për kërkesat e protestuesve.
Organizata Iran Human Rights, me seli në Norvegji, raportoi se të paktën 45 persona, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë që nga nisja e protestave. Po sipas saj, qindra persona janë plagosur dhe mbi 2 mijë të tjerë janë arrestuar.
Një pjesë e protestuesve duket se iu përgjigjën thirrjes së ish-princit të kurorës Reza Pahlavi, i cili nga mërgimi u bëri apel qytetarëve të dalin në rrugë.



