Beteja ligjore dhe teknologjike mes gjigantëve të Silicon Valley është ashpërsuar, pasi OpenAI, krijuesi i ChatGPT, ka ngritur një kundërpadi ndaj Apple në Kaliforni, duke e akuzuar kompaninë për spiunazh industrial dhe pengim të konkurrencës.
Ky veprim vjen si kundërpërgjigje ndaj një padie të ngritur nga Apple në korrik, e cila akuzonte OpenAI dhe startup-in e dizajnit të ish-dizajnerit kryesor të iPhone, Sir Jony Ive (io Products, i blerë nga OpenAI për 6.5 miliardë dollarë), për vjedhje sistematike të teknologjive të saj.
OpenAI pretendon se Apple ripunësoi një inxhinier që kishte punuar për gjashtë muaj në OpenAI, i cili dyshohet se dërgoi në telefonin e tij personal dhjetëra dokumente sekrete mbi pajisjet e ardhshme fizike të AI-së dhe ua prezantoi ato drejtuesve të lartë të Apple.
Krijuesi i ChatGPT akuzon prodhuesin e iPhone se po u bën presion dhe po dekurajon furnizuesit e pajisjeve elektronike që të mos bashkëpunojnë për prodhimin e pajisjeve të reja personale të OpenAI.
Në dosjen gjyqësore pretendohet se Apple i nxit punonjësit të përziejnë skedarët e punës me llogaritë personale iCloud, me qëllim që t'i akuzojë lehtësisht për vjedhje nëse largohen drejt konkurrentëve.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Apple i hodhi poshtë akuzat e reja, duke i cilësuar si një "përpjekje transparente për të shkëputur vëmendjen nga thelbi i çështjes", dhe këmbënguli se ish-punonjësit e saj kanë vjedhur qëllimisht sekrete mbi produktet ende të pazbuluara të kompanisë.
