Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur të premten në ishullin La Gomera, në Ishujt Kanarie, ku një autobus që transportonte turistë britanikë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një përrua. Si pasojë, një person ka humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:15 sipas orës lokale, në autostradën GM-2 pranë qytetit San Sebastián de La Gomera. Sipas autoriteteve lokale, në autobus ndodheshin 28 persona, përfshirë 27 turistë britanikë dhe shoferin.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, duke transportuar të plagosurit në Spitalin Nuestra Señora de Guadalupe. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa një person në gjendje kritike është dërguar për trajtim në ishullin fqinj Tenerife.
Raportohet se grupi turistik ishte nisur drejt një ekskursioni me varkë në momentin e aksidentit. Në bord ndodheshin 25 të rritur dhe tre fëmijë.
Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, shprehu solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa Ambasada britanike në Madrid deklaroi se është në kontakt me autoritetet lokale dhe e gatshme të ofrojë ndihmë për shtetasit e prekur.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, të cilat mbeten ende të paqarta.



