
Administrata amerikane pritet të shpallë së shpejti tarifa të reja doganore që do të prekin rreth 60 ekonomi në mbarë botën.
Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë për Tregtinë (USTR), Jamieson Greer, gjatë një interviste për CNBC.
Greer tha se hetimet e nisura nga autoritetet amerikane mbi disa praktika tregtare, përfshirë dyshimet për përdorimin e punës së detyruar, pritet të përfundojnë deri në fund të kësaj jave. Sipas tij, pas përfundimit të tyre do të ketë zhvillime konkrete, megjithëse nuk dha një datë të saktë për shpalljen e tarifave.
Tarifat e reja mund të prekin partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, mes tyre edhe Bashkimin Evropian.
Ato pritet të zëvendësojnë tarifën e përkohshme prej 10%, e cila u vendos nga presidenti Donald Trump pasi Gjykata Supreme rrëzoi një pjesë të tarifave të mëparshme.



