
Presidenti Kinez Xi Jinping ka propozuar që të krijohet një organizatë globale për të drejtuar dhe menaxhuar inteligjencën artificiale. Këto propozime Xi Jinping i bëri gjatë së shtunës në takimin me anëtarët e APEC-ut. Sipas presidentit kinez ky hap duhet ndërmarrë për të rritur njohuritë e publikut në inteligjencën artificiale dhe për të kapërcyer hendekun dixhital dhe teknologjik inteligjent në rajonin e Azi-Paqësorit.
Xi e mbështeti propozimin e tij duke thënë se një Organizatë Botërore e Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale mund të vendosë rregulla qeverisjeje dhe të nxisë bashkëpunimin, duke e bërë IA-në një "të mirë publike për bashkësinë ndërkombëtare".
"Sot, një revolucion i ri teknologjik dhe transformim industrial po bëjnë përparim të konsiderueshëm, duke hapur perspektiva të reja për shoqërinë njerëzore", tha Xi duke vijuar se në të njëjtën kohë, ekonomia globale përballet me një vrull të pamjaftueshëm rritjeje, një deficit global në rritje të zhvillimit dhe përkeqësimin e sfidave të tilla si ndryshimi i klimës, siguria ushqimore dhe siguria energjetike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili u largua herët nga samiti, nuk mori pjesë në fjalimin e Xi-së edhe pse më herët të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për një marrëveshje njëvjeçare që lehtësonte disa kufizime tregtare dhe teknologjike. Duket se kjo marrëveshje do të ulë tensionet mes dy ekonomive më të mëdha, por lë të pazgjidhura dallimet e thella mbi qeverisjen e inteligjencës artificiale. Ndërsa Uashingtoni i reziston krijimit të organeve ndërkombëtare për të rregulluar inteligjencën artificiale, Kina mbështet bashkëpunimin shumëpalësh, veçanërisht përmes APEC-ut.



