Bazuar në një takim shumë produktiv që pata me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ne kemi përcaktuar kornizën për një marrëveshje të ardhshme mbi Groenlandën dhe, në fakt, të gjithë rajonin e Arktikut. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet e NATO-s.
Kështu shkruan Presidenti amerikan Donald Trump në rrjetin social Truth, duke shtuar se bazuar në këtë marrëveshje, nuk do të vendosë tarifat e planifikuara për 1 shkurt për vendet europiane.
Presidenti amerikan emëroi Zëvendëspresidentin J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe të tjerë, sipas nevojës, si përgjegjës për zhvillimin e negociatave.
Rutte e siguroi publikisht Trump se, në rast të një sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara, “aleatët tuaj do të jenë në krahun tuaj”, duke theksuar se nën udhëheqjen e presidentit amerikan, aleanca është më e fortë.
Trump tha se shpreson që ky angazhim të qëndrojë, megjithëse përsëriti se e konsideron Groenlandën kritike për sigurinë, duke theksuar se e do atë për arsye sigurie dhe asgjë tjetër.



