Kuvajti ka raportuar një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa forcat e mbrojtjes ajrore janë angazhuar për t’i interceptuar ato.
Sipas ushtrisë kuvajtiane, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë për të neutralizuar objektivat armiqësore.
Ndërkohë, sirenat e alarmit u dëgjuan për herë të dytë brenda natës në disa zona të vendit. Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas sulmeve të ngjashme, për të cilat autoritetet e Kuvajtit kanë fajësuar Iranin.
Ministria e Jashtme kuvajtiane e ka cilësuar Teheranin si përgjegjës për këto sulme.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë rrëzuar dy raketa balistike iraniane që sipas tyre kishin në shënjestër forcat amerikane të vendosura në Kuvajt.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se ka goditur një bazë të përdorur nga ushtria amerikane. Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së mbeten të larta, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të arritur më 8 prill.
Negociatat indirekte për t’i dhënë fund konfliktit të nisur më 28 shkurt vijojnë të mbeten në ngërç.



