
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se Irani ka dalë fitues përballë Shteteve të Bashkuara, pasi autoritetet iraniane arritën të frenojnë protestat e dhunshme që përfshinë vendin javët e fundit.
Demonstratat shpërthyen në fund të dhjetorit në disa qytete të Iranit, të nxitura fillimisht nga inflacioni i lartë dhe vështirësitë ekonomike. Më pas, ato u shndërruan në protesta më të gjera kundër qeverisë, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, ku mbetën të vrarë qindra persona nga të dyja palët.
Më herët këtë javë, autoritetet në Teheran njoftuan se situata ishte vënë nën kontroll dhe se qetësia ishte rikthyer në qytetet kryesore të vendit.
Në një seri postimesh në platformën X të shtunën, Khamenei akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se qëndrojnë pas organizimit të trazirave, duke veçuar Uashingtonin si përgjegjësin kryesor.
“SHBA-ja kishte bërë përgatitje të gjera për të orkestruar këtë rebelim. Ky rebelim ishte një parathënie e planeve edhe më të mëdha. Kombi iranian e mposhti SHBA-në,” shkroi Khamenei.



