Kryeministrja daneze thotë se vendi i saj do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa akuzoi telefonat celularë dhe rrjetet sociale se “po na vjedhin fëmijërinë”.
Mette Frederiksen e përdori fjalimin e saj të martën në hapjen e Folketing, parlamentit danez, për të njoftuar propozimin: “Ne kemi lëshuar një përbindësh. Asnjëherë më parë kaq shumë fëmijë dhe të rinj nuk kanë vuajtur nga ankthi dhe depresioni.”
Sipas saj, shumë fëmijë kanë vështirësi në lexim dhe përqendrim, duke shtuar se në ekrane ata shohin gjëra që asnjë fëmijë ose i ri nuk duhet t’i shohë.
Frederiksen nuk specifikoi se cilat rrjete sociale do të preken nga masat e reja, por tha se do të mbulohen disa platforma të mediave sociale.
Ajo shtoi se do të ketë një mundësi që prindërit t’u japin leje fëmijëve të tyre për të përdorur mediat sociale që nga mosha 13 vjeç.
Mendohet që kufizimi të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm.
Ky vendim ndjek shembullin e Australisë, e cila po fut një ndalim në platformat e mediave sociale duke përfshirë Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube për personat nën 16 vjeç, dhe Norvegjisë ku kryeministri Jonas Gahr Store, ka thënë se do të zbatojë një kufi minimal moshe prej 15 vjeç në mediat sociale, duke e rritur atë nga 13 vjeç.
Në fjalën e saj, kryeministrja daneze përmendi shifra që tregojnë se 60% e djemve të moshës 11 deri në 19 vjeç nuk takonin asnjë shok në kohën e tyre të lirë, ndërsa 94% e fëmijëve danezë në klasën e shtatë kishin një profil në mediat sociale para se të mbushnin 13 vjeç.
“Telefonat celularë dhe mediat sociale po ua vjedhin fëmijërinë fëmijëve tanë”, tha ajo.
Njoftimi vjen pasi Danimarka tha në shkurt se telefonat celularë do të ndaloheshin në të gjitha shkollat dhe klubet pas shkolle. Vendimi u mor me rekomandimin e një komisioni qeveritar për mirëqenien, i ngritur për të hetuar pakënaqësinë në rritje midis fëmijëve dhe të rinjve, i cili zbuloi se fëmijët nën 13 vjeç nuk duhet të kenë telefonin e tyre inteligjent ose tablet.



