Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zbuluar se i është nënshtruar në heshtje trajtimit për kancerin e prostatës, pasi publikoi rezultatet e kontrollit të tij vjetor mjekësor.
Në deklaratën e bërë publike, ai konfirmoi se diagnoza ishte vendosur për herë të parë disa muaj më parë, por publikimi ishte shtyrë për të shmangur keqpërdorimin politik, veçanërisht nga Irani.
Netanyahu, 76 vjeç, kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale për zmadhimin e prostatës në dhjetor 2024, e cila ishte bërë publike në atë kohë.
Gjatë kontrolleve pas operacionit, mjekët zbuluan një tumor malinj shumë të vogël, më pak se një centimetër, pa shenja metastazash. Sipas letrave të publikuara nga stafi mjekësor, bëhej fjalë për një zbulim të hershëm dhe të lokalizuar.
Burime të afërta me çështjen kanë bërë të ditur se ai iu nënshtrua radioterapisë për rreth dy muaj e gjysmë dhe së fundmi ka përfunduar trajtimin. Vetë Netanyahu deklaroi se trajtimi ishte i suksesshëm dhe se tumori është zhdukur plotësisht.
“Falë Zotit, jam mirë. Ishte një problem i vogël mjekësor që u trajtua plotësisht,” u shpreh ai në rrjetet sociale.



