Çmimi mesatar i një litri naftë në Mbretërinë e Bashkuar ka thyer një rekord të ri dhe të paprecedentë, duke arritur në 2 paund për litër për herë të parë në histori.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga organizata automobilistike RAC Drive konfirmojnë se çmimi mesatar ka kapërcyer zyrtarisht në 200.01 peni.
Kjo rritje drastike reflekton një shtrenjtim prej 40.5% që nga nisja e konfliktit ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit në fund të shkurtit, periudhë kur nafta tregtohej me 142.38 peni për litër.
Si pasojë, mbushja e një rezervuari mesatar familjar prej 55 litrash tani kushton plot 110.01 paund, që do të thotë rreth 32 paund më shumë krahasuar me fundin e shkurtit.
Shefi i politikave në RAC, Simon Williams, u shpreh se ky është një "prag kritik që askush nuk dëshironte ta kalonte". Sipas tij, kjo situatë do të rëndojë ndjeshëm buxhetet e familjeve dhe do të vërë në vështirësi të mëdha bizneset e transportit dhe shpërndarjes.
Për një makinë që përshkon mesatarisht 10,000 milje në vit, kostoja vjetore e karburantit pritet të kapi vlerën e 2,020 paundëve. Ekspertët raportojnë se rekordi i mëparshëm prej 199.09 peni, i shënuar në qershor të vitit 2022 pas invazionit rus në Ukrainë, tashmë ka mbetur pas.
Ndërprerjet e vazhdueshme në rrugën kritike të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit dhe paralajmërimet për ndalime të mundshme të eksporteve nga SHBA po mbajnë tregjet nën ankth, duke dëshmuar sërish varësinë e lartë të vendit nga importet e lëndëve djegëse fosile.



