Një dhuratë e pazakontë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shkaktuar habi dhe dilema mes liderëve të NATO-s pas përfundimit të samitit vjetor të Aleancës.
Sipas mediave ndërkombëtare, Erdogan i ka dhuruar secilit prej drejtuesve një revole të gdhendur me emrin e tyre.
Brenda kutisë së kuqe ndodheshin edhe gjashtë fishekë të vërtetë, si dhe një dokument që përjashtonte armën nga kontrollet e eksportit.
Dhurata ka vënë në vështirësi shërbimet e sigurisë të delegacioneve, të cilat janë përballur me procedurat për transportimin dhe ruajtjen e armëve.
Kryeministri belg, Bart De Wever, pasi mësoi për përmbajtjen e dhuratës, ia dorëzoi menjëherë armën policisë së aeroportit për ta ruajtur në një kasafortë, në përputhje me procedurat ligjore.
Ndërkohë, revolja e dhuruar presidentit polak mbërriti në destinacion nën masa të rrepta sigurie.
Rasti riktheu në kujtesë një incident të vitit 2022, kur shefi i Policisë së Polonisë u plagos lehtë pasi një granatahedhës që kishte marrë dhuratë nga Ukraina shpërtheu aksidentalisht në zyrën e tij.
Dhurata e presidentit turk ka ngjallur reagime të shumta dhe është cilësuar si një nga momentet më të pazakonta të samitit të NATO-s.



