Njerëzimi po shkon drejt një "tejkalimi të pakthyeshëm" të pragjeve të temperaturës globale, çka do të zhysë miliarda njerëz në pasoja katastrofike klimatike.
Sipas raportit më të fundit nga Climate Action Tracker (CAT), me politikat aktuale planeti pritet të ngrohet mesatarisht me 2.7 gradë Celsius deri në fund të shekullit, një rritje e lehtë nga parashikimi prej 2.6 gradë i vitit të kaluar.
Ky nivel ngrohjeje e kalon ndjeshëm pragun prej 1.5 gradë Celsius të rënë dakord një dekadë më parë, i cili pritet të thyhet brenda pak vitesh.
Shkencëtarët paralajmërojnë se përtej kësaj pike, fenomene ekstreme si stuhitë, thatësirat, valët e të nxehtit dhe përmbytjet do të bëhen të papërballueshme.
Edhe në skenarin më optimist ku të gjitha premtimet e qeverive do të përmbusheshin temperatura globale sërish do të rritej me 1.9 gradë Celsius.
Raporti publikohet teksa liderët botërorë, me përjashtim të SHBA-së janë mbledhur në Antalia të Turqisë për bisedimet e OKB-së mbi klimën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje qeverive të veprojnë urgjentisht për të braktisur lëndët djegëse fosile.
Ndërkohë, aktivistja Greta Thunberg paralajmëroi nga Antalia se dështimi për të përballuar krizën po vë në rrezik "gjithçka dhe të gjithë ata që duam".
Ekspertët e CAT kritikojnë ngadalësimin e veprimeve klimatike nga vende si SHBA-ja, Kanadaja dhe Zelanda e Re, por evidentojnë edhe disa zhvillime pozitive si: Investimet në energjinë e pastër janë dyfishuar krahasuar me ato të karburanteve fosile; përdorimi i makinave elektrike po shënon rritje të vazhdueshme dhe shpyllëzimi i Amazonës në Brazil ka pësuar rënie të ndjeshme.
Megjithatë, autorët e raportit theksojnë se qeveritë duhet të përshpejtojnë menjëherë politikat e gjelbra për të shmangur dëmet e pakapërcyeshme ekonomike dhe humanitare.
