Franca ka regjistruar rreth 1000 vdekje më shumë se zakonisht gjatë këtij muaji, një rritje që autoritetet shëndetësore e lidhin me valën e jashtëzakonshme të të nxehtit që ka përfshirë vendin në ditët e fundit.
Sipas Agjencisë Kombëtare Franceze të Shëndetit, që nga 24 qershori janë raportuar afërsisht 1000 vdekje shtesë, krahasuar me mesataren e muajve të mëparshëm.
Autoritetet theksojnë se kjo rritje është konstatuar veçanërisht në rajonet ku ishte shpallur niveli më i lartë i alarmit për temperaturat ekstreme.
Megjithëse të dielën pjesa më e madhe e territorit francez doli nga alarmi i kuq, vendi sapo ka kaluar më shumë se një javë me temperatura rekord, të shoqëruara edhe me net jashtëzakonisht të nxehta. Masa e ajrit të nxehtë tashmë po zhvendoset drejt lindjes së Evropës.
Shkencëtarët kanë theksuar se kjo valë e të nxehtit, e cilësuar si më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore, lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
Edhe Spanja po përballet me pasoja të rënda, ku studiuesit vlerësojnë se mbi 210 persona kanë humbur jetën për shkak të temperaturave ekstreme, ndërsa ky bilanc pritet të rritet.
Në Francë, disa aktivitete publike janë anuluar ose shtyrë, përfshirë festivalin e Krenarisë dhe festivalin muzikor Solidays, me qëllim shmangien e mbingarkesës së spitaleve, të cilat, veçanërisht në rajonin e Parisit, po funksionojnë pranë kufirit të kapaciteteve të tyre.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se rritja e vdekshmërisë është evidentuar në të gjitha grupmoshat, çka tregon se temperaturat ekstreme prekin të gjithë popullsinë.
Megjithatë, rreth 85% e viktimave janë persona mbi moshën 65 vjeç. Agjencia thekson se të dhënat janë ende paraprake dhe numri përfundimtar i viktimave mund të jetë më i lartë.
Ndërkohë, vala e të nxehtit është kthyer edhe në një çështje të rëndësishme politike, ndërsa Franca po afrohet drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Mbyllja e disa shkollave dhe problemet në transportin publik kanë nxitur debate mbi gatishmërinë e shtetit për t’u përballur me fenomene të tilla ekstreme, të cilat, sipas ekspertëve të klimës, pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe më afatgjata.



