Ushtria izraelite njoftoi se ka marrë trupin e pengut të fundit izraelit që mbahej në Rripin e Gazës.
Bëhet fjalë për rreshterin major rezervist Ran Gvili, për të cilin Izraeli kishte vijuar kërkimet që prej nisjes së armëpushimit me Hamasin në tetor.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi duhej të kthente të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e saj.
Deri më tani ishin dorëzuar 20 pengje të gjallë dhe trupat e 27 pengjeve izraelite dhe të huaja.
Megjithatë, për disa javë me radhë, Hamasi kishte deklaruar se nuk kishte mundur të gjente trupin e Gvilit.
Të dielën, Izraeli bëri të ditur se do të rihapë pikën kryesore kufitare të Gazës me Egjiptin, sapo të përfundojë operacioni për marrjen dhe kthimin e trupit të Gvilit.
Marrja e trupit të tij hap rrugën për avancimin drejt fazës së dytë të planit të paqes të propozuar nga Donald Trump.
Kjo fazë parashikon rindërtimin e Gazës dhe çmilitarizimin e plotë të saj, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze.
Izraeli kishte refuzuar të kalonte në fazën e dytë të planit pa u gjetur fillimisht Gvili.
“IDF ndan dhimbjen me familjen e tij dhe do të vazhdojë të mbështesë familjarët dhe pengjet e kthyer, si dhe të punojë për forcimin e sigurisë së qytetarëve izraelitë”, thuhet në deklaratë.
Me këtë zhvillim, Izraeli deklaron se të gjithë pengjet nga zona e Rripit të Gazës janë kthyer.



