Pentagoni njoftoi se sekretari i Marinës së SHBA-së, John Phelan, është larguar nga detyra me efekt të menjëhershëm, duke shënuar një tjetër ndryshim në nivelet më të larta të udhëheqjes ushtarake amerikane. Lajmi u bë publik përmes një deklarate nga zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.
Sipas njoftimit, detyrën e sekretarit në detyrë të Marinës do ta marrë Hung Cao, aktualisht nënsekretar i këtij institucioni. Megjithatë, burime pranë zhvillimeve sugjerojnë se largimi i Phelan nuk ishte vullnetar, por një shkarkim i lidhur me tensione të brendshme në Pentagon.
Raportohet se marrëdhëniet mes Phelan dhe sekretarit të mbrojtjes, Pete Hegseth, ishin përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit.
Një nga pikat e përplasjes lidhej me reagimin ndaj senatorit Mark Kelly, i cili kishte këshilluar trupat ushtarake të refuzonin urdhrat e paligjshëm. Sipas burimeve, Hegseth e konsideroi Phelan jo mjaftueshëm të ashpër në këtë çështje.
Përplasjet nuk munguan as me zëvendësin e Hegseth, Stephen Feinberg, veçanërisht lidhur me mënyrën e menaxhimit të programeve të ndërtimit të anijeve ushtarake.
Largimi i Phelan vjen vetëm një ditë pasi ai kishte mbajtur një fjalim publik në konferencën vjetore të Marinës në Uashington, dhe disa javë pasi Hegseth kishte shkarkuar edhe gjeneralin Randy George, duke shtuar spekulimet për një ristrukturim të thellë në Pentagon.
Zhvillimi ndodh në një moment të ndjeshëm për Marinën amerikane, e cila është e angazhuar në operacione ndërkombëtare, përfshirë tensionet me Iranin dhe mbikëqyrjen e trafikut detar në rajone strategjike.
Phelan, i cili nuk kishte përvojë të mëparshme ushtarake, ishte emëruar në këtë post nga Donald Trump në fund të vitit 2024 dhe kishte lidhje të forta me sektorin privat si themelues i një firme investimesh.



