YouTube ka bllokuar 16 kanale ruse në Ukrainë, përfshirë versionet në gjuhë të huaja të filmit të famshëm vizatimor rus “Masha dhe Ariu”.
Kyiv Independent raporton se Qendra Ukrainase për Luftimin e Dezinformimit njoftoi kufizimet dy ditë më parë, duke pretenduar se kanalet janë të lidhura me propagandistë rusë, blogerë pro-luftës dhe personalitete të argëtimit të cilët mbështesin pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi më shumë se katër vjet më parë.
Ndër kanalet e synuara janë ato të korrespondentit rus të luftës Alexander Sladkov dhe blogerit pro-luftës Sergei Kolyasnikov, i njohur edhe si Zergulio.
Kufizimet, prekën edhe artistet ruse Nadezhda Babkina, Yulia Savicheva, Victoria Daineko, Masha Weber dhe grupin Uma2rman, si dhe kanalet “Russian Svo Compilations” dhe “Sevastopol Correspondent”.
Sipas vendimeve të Qendrës, edhe disa kanale në gjuhë të huaja të lidhura me serialin “Masha dhe Ariu” iu nënshtruan kufizimeve.
Në gusht, Ukraina vendosi sanksione ndaj prodhuesve dhe shpërndarësve të filmit vizatimor “Masha dhe Ariu”, i cili akuzohet se është një mjet propagandues i Kremlinit.
Sanksionet, të futura me një dekret të nënshkruar nga Presidenti Volodymyr Zelensky, shënjestruan pesë qytetarë rusë dhe katër organizata të përfshira në prodhimin dhe shpërndarjen e filmit vizatimor, përfshirë studion ruse Animaccord.
