Komediani dhe aktori britanik Russell Brand, 51 vjeç, është paraqitur të hënën në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër, për fillimin e procesit gjyqësor ndaj tij.
Brand akuzohet për tre akuza për përdhunim, tre akuza për sulm seksual dhe një akuzë për sulm të pahijshëm ndaj gjashtë grave, ngjarje këto që dyshohet se kanë ndodhur midis viteve 1999 dhe 2009 në Londër dhe Bournemouth.
Aktori, i cili mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Laura, i mohon me vendosmëri të gjitha akuzat.
Dita e parë e seancës nisi me përzgjedhjen e jurisë, ku gjyqtari Justice Bennathan u kujtoi anëtarëve të mundshëm dokumentarin e Channel 4 dhe artikujt e gazetës The Times të botuar tre vite më parë mbi këtë rast.
Gjyqi pritet të zgjasë rreth gjashtë javë (deri më 11 dhjetor), ndërsa përzgjedhja përfundimtare dhe betimi i jurisë do të bëhet të martën, përpara se dëshmitë dhe procesi kryesor të nisin zyrtarisht të mërkurën.
Brand, i njohur më parë për karrierën e tij në Hollywood dhe në televizionin britanik, vitet e fundit është zhvendosur në Florida ku merret me podkaste.



