Akuzohet për keqmenaxhim të pandemisë Covid/ Fauci refuzon të përgjigjet para senatit amerikan

Akuzohet për keqmenaxhim të pandemisë Covid/ Fauci refuzon të përgjigjet para senatit amerikan

Anthony Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar amerikan për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive dhe figura kryesore e SHBA-së gjatë pandemisë së COVID-19, është rikthyer në qendër të debatit politik. Ai u thirr me detyrim ligjor për të dëshmuar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare të Senatit amerikan, i drejtuar nga senatori republikan Rand Paul. Seanca kishte si synim të shqyrtonte vendimet e marra gjatë pandemisë, origjinën e koronavirusit dhe financimin e disa kërkimeve shkencore.

 

Por, dëshmia mori një kthesë të papritur. Fauci refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve, duke u mbështetur te Amendamenti i Pestë i Kushtetutës amerikane. Ky parim ligjor i jep çdo personi të drejtën të mos japë deklarata që mund të përdoren kundër tij në një proces penal. 

 

Fauci tha se vendimin e kishte marrë me këshillën e avokatëve të tij.

 

Megjithëse më dhemb ta bëj këtë, për respektin që kam për Kongresin dhe për historinë time të bashkëpunimit me të, me këshillën e avokatëve të mi do të ushtroj të drejtën time sipas Amendamentit të Pestë dhe nuk do t'u përgjigjem pyetjeve.

 

Refuzimi i Faucit shkaktoi reagime të forta nga senatorët republikanë. Më i ashpër ishte senatori Bernie Moreno, republikan nga Ohio, i cili e akuzoi ish-zyrtarin se nuk kishte mbajtur përgjegjësi për pasojat që, sipas tij, sollën kufizimet e vendosura gjatë pandemisë. 

 

Moreno përmendi rastin e një gruaje nga Ohio, e cila, sipas tij, u arrestua dhe u godit me pistoletë elektrike pasi nuk mbante maskë në një aktivitet sportiv, duke e përdorur si shembull të masave që ai i konsideroi të krejtësisht të ekzagjeruara dhe të paarsyeshme.

 

Kush dreqin mendove se ishe ti që bëre diçka të tillë? Kush mendon se ishe, që u more amerikanëve të drejtat dhe liritë e tyre? A ke sadopak dinjitet? A ke sadopak pendesë për dëmin që u shkaktove njerëzve?

 

Fauci nuk iu përgjigj as këtyre akuzave, duke vijuar të ushtrojë të drejtën e Amendamentit të Pestë. Klima në sallë mbeti e tensionuar gjatë gjithë seancës. Kryetari i komisionit, senatori republikan Rand Paul, deklaroi se refuzimi i Faucit për të dëshmuar do të shqyrtohet nga komisioni dhe paralajmëroi se mund të ketë pasoja të mëtejshme. 

 

Gjatë seancës pati edhe përplasje procedurale, pasi një prej avokatëve të Faucit u urdhërua të largohej nga salla.

 

"Komisioni do të duhet të shqyrtojë se çfarë veprimesh janë të përshtatshme pas refuzimit tuaj për të dëshmuar. Do të ketë pasoja", tha  Rand Paul, kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare të Senatit, senator republikan nga Kentucky.

 

 

Republikanët kërkojnë që Fauci të japë shpjegime për vendimet e marra gjatë pandemisë, përfshirë debatin mbi origjinën e COVID-19 dhe financimin e disa projekteve kërkimore. Fauci i ka mohuar vazhdimisht akuzat për keqmenaxhim dhe ka mbështetur vlerësimet shkencore se origjina natyrore e virusit mbetet skenari më i mbështetur nga provat. Demokratët, nga ana tjetër, e cilësuan seancën një sulm politik ndaj shkencëtarit që udhëhoqi përgjigjen amerikane ndaj pandemisë.

 

Debati rihapi një nga përplasjet më të mëdha politike të viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, duke treguar se, edhe gjashtë vjet pas shpërthimit të pandemisë, mënyra si u menaxhua pandemia dhe debati mbi origjinën e virusit vazhdojnë të shkaktojnë përplasje të forta në politikën amerikane. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy