Australia ka zbatuar ndalimin e parë dhe më të ashpër në botë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke i detyruar platformat si Meta, TikTok dhe YouTube të bllokojnë ose të verifikojnë rreptësisht përdoruesit e mitur. Mijëra adoleshentë u zgjuan sot me llogaritë e tyre të fikura, ndërkohë që të tjerë thonë se tashmë kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar sistemin.
Qeveria thotë se ndalimi është vendosur për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe algoritmet manipuluese, ndërsa kritikët paralajmërojnë se një ndalim i përgjithshëm mund të jetë joefektiv dhe madje i rrezikshëm.
Sipas BBC, Australia është vendi i parë që ndalon rrjetet sociale për të rinjtë nën 16 vjeç pa asnjë përjashtim, madje as me lejen e prindërve. Kjo e bën ligjin australian më kufizuesin në botë.
10 platforma kryesore janë paralajmëruar se do të monitorohen që nga e enjtja. Kompanitë përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë për shkelje.
BBC raporton se, shumica e prindërve e mbështesin masën, duke shpresuar se ajo do të ulë bullizmin online dhe rreziqet e shfrytëzimit të të miturve. Por shumë adoleshentë, veçanërisht ata në zona rurale dhe komunitete të margjinalizuara, thonë se po humbasin mënyrën e tyre kryesore të komunikimit.
“Kur na heqin Snapchat-in, na heqin lidhjen me miqtë,” thotë Breanna, 15 vjeç, që jeton dhjetëra kilometra larg shoqeve të saj.
Ekspertët paralajmërojnë se fëmijët ka të ngjarë të gjejnë rrugë për të mashtruar sistemet e verifikimit të moshës, duke përdorur platforma më pak të sigurta ose adresa të rreme.
Qeveria: “Nuk do të jetë perfekte, por është fillimi i ndryshimit”
Kryeministri Anthony Albanese tha se ndalimi është një hap historik:
“Vetë fakti që po e bëjmë është sukses. Australia po vendos standardet për botën.”
Rregullatorja e sigurisë online, Julie Inman Grant, u shpreh se vendi po mendon afatgjatë:
“Bota do të na ndjekë, siç na ndoqi për paketimin e cigareve dhe reformat e armëve.”



