40 kryebashkiakë nga qytete në katër kontinente ka nënshkruar një pakt historik, duke vendosur kushte të qarta për ndërtimin e qendrave të të dhënave (data centers) që mbështesin inteligjencën artificiale (AI). Ata paralajmërojnë se zgjerimi i shpejtë i kësaj industrie po ushtron presion të madh mbi rrjetet energjetike, burimet ujore dhe tokën e disponueshme për banesa.
Pakti u prezantua të martën gjatë Javës së Veprimit për Klimën në Londër nga rrjeti C40 Cities, një aleancë e afro 100 qyteteve të angazhuara në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ai përfaqëson përpjekjen e parë të koordinuar në nivel global nga pushteti vendor për të vendosur rregulla për zhvillimin e qendrave të të dhënave përpara se zgjerimi i tyre të bëhet i pakontrollueshëm.
Aktualisht, rreth 1 700 qendra të tilla funksionojnë në qytetet anëtare të C40, ndërsa në 50 prej tyre parashikohet që zhvillimi të rritet me mbi 40 për qind në vitet e ardhshme.
Nisma lindi pas diskutimeve mes kryebashkiakëve të Phoenix-it në SHBA dhe Melburnit në Australi, të cilët konstatuan se përballeshin me të njëjtat sfida: konsum të jashtëzakonshëm të energjisë elektrike dhe ujit, si edhe konkurrencë me projektet e banimit për tokën e lirë.
Kryebashkiakja e Phoenix-it, Kate Gallego, tha se investimet në këtë sektor po krijojnë vende pune, por theksoi se zhvillimi duhet të jetë në përputhje me interesat e komunitetit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkohë, në Melburn autoritetet paralajmërojnë se, nëse realizohen të gjitha projektet e planifikuara, qendrat e të dhënave do të konsumojnë deri në 20 miliardë litra ujë në vit, ose rreth 4 për qind të furnizimit të qytetit me ujë të pijshëm, në një kohë kur rezervat ujore po vihen nën presion nga rritja e popullsisë dhe ndryshimet klimatike.
Sipas paktit, qendrat e reja të të dhënave duhet të ndërtohen në zona të braktisura ose të pashfrytëzuara, të furnizohen me energji nga burime të rinovueshme dhe sisteme magazinimi me bateri, të reduktojnë konsumin e ujit dhe emetimet, si edhe të ripërdorin nxehtësinë e prodhuar gjatë funksionimit.
Gjithashtu, kompanitë duhet të krijojnë vende pune për komunitetin lokal, të përdorin furnitorë vendas, të financojnë vetë përmirësimin e infrastrukturës dhe të konsultohen me banorët për projektet që planifikojnë.
Rreth gjysma e 40 qyteteve nënshkruese janë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa pjesë e marrëveshjes janë bërë edhe qytete nga Greqia, Spanja, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Kanadaja, Kenia, Afrika e Jugut, Sierra Leone, Bregu i Fildishtë, India, Australia dhe Libani.
Në mënyrë domethënëse, asnjë qytet nga Azia Juglindore nuk iu bashkua nismës, megjithëse rajoni po përjeton një rritje të shpejtë të qendrave të të dhënave dhe të kërkesës për energji. Sipas organizatorëve, disa qytete nuk mundën të nënshkruanin për shkak të kufizimeve të politikave kombëtare, por diskutimet vijojnë.
Kryebashkiakët besojnë se një qëndrim i përbashkët do t'u japë më shumë fuqi përballë kompanive të teknologjisë, duke shmangur situatat kur investitorët zgjedhin qytete me rregulla më të dobëta për të zhvilluar projektet e tyre.



