Një prodhues ukrainas i armëve do të fillojë prodhimin e karburantit për raketa me rreze të gjatë veprimi në Danimarkë, njoftoi qeveria daneze të mërkurën, duke shënuar zgjerimin e parë jashtë vendit nga një kompani ukrainase e mbrojtjes.
Kompania ukrainase është Fire Point, prodhuesi i raketave Flamingo, të cilat Presidenti Volodymyr Zelensky i ka përshkruar si arma më e suksesshme e vendit të tij.
Në qershor, Zelensky tha se Ukraina ishte në bisedime për prodhimin e përbashkët të armëve me Danimarkën, Norvegjinë, Gjermaninë, Kanadanë, Britaninë dhe Lituaninë.
Prodhimi i karburantit do të vendoset pranë bazës ajrore Skydstrup të Danimarkës, ku ndodhet flota e avionëve luftarakë F-16 të vendit nordik.
“Është një ndihmë për luftën e Ukrainës për siguri, pavarësinë e saj dhe, jo më pak e rëndësishme, mundësinë e saj për të jetuar në paqe”, u tha gazetarëve ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.
Danimarka ka qenë një mbështetëse e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe deri më tani ka kontribuar 67.6 miliardë kurona daneze (10.13 miliardë dollarë) në mbështetje ushtarake, sipas ministrisë së jashtme daneze.
Qeveria daneze kohët e fundit ndau 500 milionë korona për të mbështetur firmat ukrainase që po zgjerohen në vendin nordik.



