12 persona mbetën të plagosur pas një incidenti me armë zjarri që ndodhi pranë zonës ku po zhvillohej festivali “Old West End” në qytetin e Toledos, në shtetin e Ohajos, SHBA.
Sipas autoriteteve lokale, disa të shtëna u regjistruan në afërsi të festivalit, duke goditur disa persona.
Kryebashkiaku i Toledos, Wade Kapszukiewicz, së bashku me anëtarë të këshillit bashkiak, konfirmuan se numri i të plagosurve ka arritur në 12.
Departamenti i Policisë së Toledos bëri të ditur se të plagosurit janë transportuar në spitalet e zonës për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.
Deri tani nuk janë publikuar detaje zyrtare mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personit ose personave të dyshuar si të përfshirë në incident.
Gjithashtu, autoritetet kanë apeluar që personat që disponojnë video ose materiale të lidhura me ngjarjen t’ia dorëzojnë ato policisë për të ndihmuar në hetim.



