Rusia ka dorëzuar municione bërthamore në objektet e magazinimit në terren në Bjellorusi, në kuadër të stërvitjeve të mëdha ushtarake bërthamore që po zhvillohen mes tensioneve në rritje me vendet anëtare evropiane të NATO-s.
Lajmi u konfirmua të enjten nga ministritë e Mbrojtjes së Rusisë dhe Bjellorusisë, të cilat publikuan edhe pamje video ku shfaqen automjete ushtarake që hyjnë në një zonë të pyllëzuar dhe raketa që ngarkohen në sisteme lëshimi, bën të ditur euronews.
Bëhet fjalë për sistemin raketor Iskander-M, i njohur nga NATO me emrin e koduar “SS-26 Stone”, i cili është projektuar për të zëvendësuar raketat sovjetike Scud.
Këto raketa kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra dhe mund të mbajnë si koka konvencionale, ashtu edhe bërthamore.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë deklaroi se pamjet tregojnë “dorëzimin e municioneve bërthamore në pikat e magazinimit në terren në zonën operative të një njësie raketash në Republikën e Bjellorusisë, si pjesë e ushtrimeve ushtarake”.
Stërvitjet bërthamore tre-ditore, që nisën të martën, po zhvillohen në të gjithë territorin e Rusisë dhe Bjellorusisë, në një moment kur shtetet baltike vijojnë të përballen me incidente të përsëritura me dronë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, në manovra marrin pjesë rreth 64 mijë ushtarakë dhe 7,800 pajisje ushtarake, përfshirë mbi 200 sisteme raketore, më shumë se 140 dronë, 73 anije luftarake dhe 13 nëndetëse, tetë prej të cilave strategjike dhe të afta për të mbajtur raketa bërthamore.
Ndërkohë, liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, akuzoi presidentin Alyaksandr Lukashenka se po e tërheq vendin drejt “shantazhit bërthamor”.
“Sot, Rusia po thotë hapur se armët e saj janë të stacionuara në tokën bjelloruse dhe kontrolli mbi to do të mbetet në Moskë”, shkroi ajo në platformën X.
Sipas Tsikhanouskayas, Lukashenka ka hequr gradualisht statusin e Bjellorusisë si vend pa armë bërthamore, duke lejuar vendosjen e armëve dhe sistemeve raketore ruse në territorin e vendit.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) deklaroi se Kievi ka shtuar masat e sigurisë në rajonet veriore për të parandaluar infiltrimin e forcave ruse dhe bjelloruse, si dhe akte të mundshme sabotimi apo terrorizmi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se kishte diskutuar me drejtuesit ushtarakë mundësinë e një ofensive të re ruse në rajonet veriore të Ukrainës, përfshirë Kievin dhe Chernihivin.



