Të paktën tetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pas një përplasjeje të rëndë mes një treni mallrash dhe një autobusi publik në Bangkok të Tajlandës.
Aksidenti ndodhi të shtunën pasdite pranë stacionit hekurudhor Makkasan, në qendër të qytetit. Sipas policisë dhe ekipeve të shpëtimit, përplasja shkaktoi një zjarr të fuqishëm që përfshiu autobusin, ndërsa disa automjete të tjera pranë vendit të ngjarjes u dëmtuan gjithashtu.

Zjarrfikësit dhe ekipet emergjente ndërhynë menjëherë për të shuar flakët dhe për të nxjerrë të plagosurit nga rrënojat. Autoritetet konfirmuan se zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa operacionet në zonë vijojnë për ftohjen e saj dhe kërkimin e viktimave të tjera të mundshme.
Zëvendësministri i Transportit, Siripong Angkasakulkiat, deklaroi se të dhënat paraprake tregojnë se autobusi kishte mbetur i bllokuar mbi shina për shkak të trafikut të rënduar, duke penguar uljen e barrierave të kalimit hekurudhor.
Sipas tij, treni i mallrave që transportonte kontejnerë nuk arriti të ndalonte në kohë. Autoritetet tajlandeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.



