Parlamenti i Algjerisë miratoi unanimisht të mërkurën një ligj që e shpall kolonizimin e Francës ndaj vendit si krim shtetëror dhe kërkon një falje zyrtare nga Parisi.
Deputetët, të veshur me shallë në ngjyrat kombëtare, brohoritën “Rroftë Algjeria” ndërsa miratuan projektligjin, i cili deklaron se Franca mban “përgjegjësi ligjore për të kaluarën e saj koloniale në Algjeri dhe tragjeditë që ajo shkaktoi”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve APS.
Ligji, i përbërë nga 27 nene, rendit krimet për të cilat akuzohet sundimi kolonial francez, përfshirë testimet bërthamore, ekzekutimet jashtëgjyqësore, torturën fizike dhe psikologjike, si dhe plaçkitjen sistematike të burimeve.
Ligji gjithashtu thekson se “kompensimi i plotë dhe i drejtë për të gjitha dëmet materiale dhe morale të shkaktuara nga kolonizimi francez është një e drejtë e patjetërsueshme e shtetit dhe popullit algjerian”.
Kryetari i parlamentit, Ibrahim Boughali, tha se ligji dërgon “një mesazh të qartë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, se kujtesa kombëtare e Algjerisë nuk është as e fshirshme dhe as e negociueshme”.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përshkruar më parë kolonizimin si një “krim kundër njerëzimit”, në vitin 2017, kur kandidonte për herë të parë për president, por ka refuzuar të kërkojë një falje zyrtare.
Në vitin 2023, ai tha: “Nuk më takon mua të kërkoj falje”, ndërsa shprehu shpresën për të punuar drejt pajtimit.
Sipas, Euronews, Parisi e dënon “një nismë haptazi armiqësore” që bie ndesh me përpjekjet për të rifilluar dialogun franko-algjerian dhe për të qetësuar punën mbi çështjet e kujtesës historike.
Marrëdhëniet mes Parisit dhe Algjerit janë përkeqësuar ndjeshëm që nga vera e vitit 2024, kur Franca njohu planin e autonomisë së Marokut “nën sovranitetin maroken” për Saharën Perëndimore.
Algjeria, e cila mbështet Frontin Polisario në kërkesën për pavarësinë e Saharës Perëndimore, e tërhoqi ambasadorin e saj dhe akuzoi Parisin për kalimin e një “vije të kuqe”.
Tensionet u përshkallëzuan më tej në gusht, kur Macron bëri thirrje për kërkesa më të rrepta vizash për diplomatët dhe zyrtarët qeveritarë algjerianë.
Algjeria reagoi duke u dhënë diplomatëve francezë 12 ditë afat për të lënë vendin. Franca u kundërpërgjigj duke tërhequr ambasadorin e saj dhe duke dëbuar 12 diplomatë algjerianë. Një valë e re dëbimesh ndodhi në prill.



