Bashkimi Evropian ka gjobitur Google me 890 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës online, duke e akuzuar kompaninë se ka favorizuar shërbimet e saj në kërkimin online dhe në dyqanin e aplikacioneve.
Komisioni Evropian deklaroi se Google ka shkelur Aktin e Tregjeve Dixhitale (DMA), duke u dhënë përparësi shërbimeve të veta, si ofertat e blerjeve dhe hoteleve, ndaj konkurrentëve në rezultatet e kërkimit. Gjoba ndahet në 460 milionë euro për shkeljet në kërkim dhe 430 milionë euro për rregullat e dyqanit të aplikacioneve.
BE-ja ka urdhëruar kompaninë që të trajtojë shërbimet rivale në mënyrë të barabartë dhe t’u lejojë zhvilluesve të aplikacioneve të ofrojnë alternativa jashtë platformës Google Play.
Google ka kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se masat e BE-së mund të ndikojnë negativisht te konsumatorët dhe bizneset evropiane. Kompania pritet ta apelojë gjobën.
Ky është rasti më i fundit në një seri masash të BE-së ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane, pasi më herët u gjobitën edhe Apple dhe Meta për shkelje të rregullave të tregut digjital.



