Prokurorët federalë në Gjermani kanë ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi ukrainas lidhur me shpërthimet që dëmtuan tubacionet e gazit Nord Stream në Detin Baltik në vitin 2022.
I dyshuari, i identifikuar sipas ligjeve gjermane vetëm si Serhii K, akuzohet se ka udhëhequr dhe koordinuar një operacion që synonte sabotimin e tubacioneve që transportonin gaz natyror nga Rusia drejt Gjermanisë. Sipas raportimeve të mediave gjermane, ai dyshohet se ka drejtuar një ekip prej shtatë personash të përfshirë në sulm.
Autoritetet thonë se ai është i njëjti person që ishte arrestuar në Itali gjatë verës së kaluar dhe më pas u ekstradua në Gjermani në nëntor. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk ka pranuar përfshirje në ngjarje.
Firma ligjore që e përfaqëson, me seli në Berlin, konfirmoi për Reuters se një aktakuzë është dorëzuar, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen e saj. Ndërkohë, prokurorët federalë gjermanë konfirmuan për AFP se një person është zyrtarisht i akuzuar në lidhje me shpërthimet.
Sipas transmetuesit publik gjerman DW, i cili citon burime mediatike, i dyshuari përballet me akuza për sabotim të infrastrukturës energjetike civile, shkaktim shpërthimi dhe shkatërrim të pasurisë.
Shpërthimet e 26 shtatorit 2022 dëmtuan tre nga katër tubacionet e Nord Stream dhe shkaktuan një rrjedhje të madhe metani në Detin Baltik, duke nxjerrë jashtë funksionit një infrastrukturë me vlerë miliarda euro.
Ngjarja mbetet ende e rrethuar nga paqartësi, me asnjë shtet apo aktor që nuk e ka marrë përgjegjësinë. Rusia ka akuzuar Perëndimin, ndërsa disa zyrtarë perëndimorë kanë ngritur dyshime ndaj Moskës, por deri tani nuk ka prova përfundimtare që lidhin një shtet me sabotimin.
Hetimet kanë krijuar gjithashtu tensione politike, pasi Ukraina, një aleate e ngushtë e Gjermanisë në luftën kundër Rusisë ka mohuar çdo përfshirje në incident. Gjermania, ndërkohë, mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë të Ukrainës në Evropë.



