
Gjurmë të vogla të një ylli të vdekur mund të jenë ende duke rënë mbi Tokë.
Studiuesit që analizojnë akullin e lashtë të Antarktidës thonë se planeti ynë vazhdon të thithë hekur-60, një izotop radioaktiv i lidhur me shpërthimet e supernovave.
Sipas shkencëtarëve, materiali vjen me shumë gjasa nga Reja Ndëryjore Lokale, një re e madhe dhe e hollë gazi e pluhuri që ndodhet mes yjeve dhe nëpër të cilën Sistemi Diellor ka udhëtuar për dhjetëra mijëra vjet.
Për studimin, kërkuesit analizuan mostra akulli nga Antarktida që datojnë nga 40 mijë deri në 80 mijë vjet më parë.
Ata zbuluan se shtresat më të vjetra përmbanin më pak hekur-60 sesa mostrat më të reja, çka sugjeron se Toka po kalon nëpër zona me përqendrime të ndryshme të materialit kozmik.
Rezultatet e hulumtimit janë publikuar në revistën shkencore “Physical Revieë Letters”.
Izotopi i rrallë hekur-60 formohet vetëm në kushte ekstreme, si shpërthimet e supernovave.
Gjurmët e tij u identifikuan në kampionet e mbledhura nga projekti europian i shpimit të akullit në Antarktidë, i njohur si “EPICA”.
Sipas studiuesve, zbulimi tregon se mjedisi ndëryjor pranë Sistemit Diellor ka ndryshuar vazhdimisht gjatë 80 mijë viteve të fundit.
“Kjo do të thotë se retë që rrethojnë Sistemin Diellor janë të lidhura me një shpërthim yjor. Për herë të parë kemi mundësinë të hetojmë origjinën e këtyre reve”, deklaroi drejtuesi i studimit, Dominik Koll.
Shkencëtarët e dinin prej kohësh se gjurmët e hekurit-60 kishin arritur në Tokë pas supernovave të ndodhura miliona vjet më parë.
Megjithatë, prania e këtij izotopi edhe në borën relativisht të re të Antarktidës dhe në sedimentet e detit të thellë krijoi një mister, pasi nuk janë vërejtur shpërthime të afërta yjore në periudhën e fundit.
Kjo i çoi studiuesit në përfundimin se vetë Reja Ndëryjore Lokale mund të ruajë ende materiale të mbetura nga supernovat.
Sipas tyre, Sistemi Diellor hyri në këtë re disa dhjetëra mijëra vjet më parë dhe aktualisht ndodhet pranë skajit të saj.
Parashikohet që ai të dalë prej saj pas disa mijëra vjetësh.
Mostrat e akullit nga Antarktida duket se mbështesin këtë teori.
Nivelet e hekurit-60 ndryshojnë ndjeshëm nga një periudhë në tjetrën, duke sugjeruar se materiali është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë brenda resë ndëryjore.



