Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, janë nisur drejt Pakistanit në një përpjekje për të nxitur një raund të ri negociatash paqeje me Iranin, në një moment kur armëpushimi mbetet i brishtë dhe perspektiva për bisedime të drejtpërdrejta është ende e paqartë, raporton theguardian.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se emisari Steve Witkoff dhe Jared Kushner synojnë të zhvillojnë një “bisedë ballë për ballë” me përfaqësues iranianë. Megjithatë, mediat shtetërore iraniane kanë deklaruar se negociatat e drejtpërdrejta nuk janë në plan.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti në Islamabad të premten në mbrëmje.
Më herët, në rrjetet sociale, ai shkroi se vizita e tij në Pakistan fokusohet në “çështje dypalëshe dhe zhvillime rajonale”, pa specifikuar takimet konkrete.
Pas mbërritjes së tij, autoritetet iraniane theksuan se nuk është planifikuar asnjë takim i drejtpërdrejtë me zyrtarë amerikanë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmael Baqaei, deklaroi në platformën X se “nuk është planifikuar asnjë takim midis Iranit dhe SHBA-së”.
Sipas tij, zyrtarët pakistanezë do të veprojnë si ndërmjetës, duke përcjellë mesazhe midis dy delegacioneve.
Ai falënderoi gjithashtu Pakistanin për “ndërmjetësimin e vazhdueshëm dhe përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi për Fox News se Witkoff dhe Kushner pritet të takohen me Araghchi-n.
“Shpresojmë që të jetë një bisedë produktive dhe të çojë drejt një marrëveshjeje”, tha ajo. Leavitt shtoi se zëvendëspresidenti JD Vance nuk do të udhëtojë, por mbetet i përfshirë dhe mund të bashkohet nëse konsiderohet e nevojshme.
Bisedimet e planifikuara për të shtunën zhvillohen në një klimë globale tensioni, ndërsa konflikti ka ndikuar rëndë tregjet energjetike, duke bllokuar eksportet përmes ngushticës së Hormuzit dhe duke rënduar ekonominë globale.
Mijëra viktima janë raportuar në të gjithë Lindjen e Mesme.
Bashkësia ndërkombëtare ka ngritur shqetësime për pasojat humanitare.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksoi se hapja e menjëhershme e ngushticës së Hormuzit është “jetike” për ekonominë globale. Ndërkohë, Programi Botëror i Ushqimit paralajmëroi se deri në 45 milionë njerëz mund të përballen me pasiguri ushqimore nëse situata vazhdon.
Pakistani ka luajtur një rol kyç ndërmjetësues, duke u përpjekur të rikthejë SHBA-në dhe Iranin në tryezën e bisedimeve, pasi presidenti Trump njoftoi këtë javë një zgjatje të pacaktuar të armëpushimit.
Megjithatë, tensionet mbeten të larta në ngushticën e Hormuzit, një arterie strategjike për transportin global të energjisë. Irani vijon të ushtrojë kontroll mbi trafikun detar, ndërsa SHBA-të kanë vendosur bllokadë në portet iraniane.
Raportohet se disa anije janë sulmuar gjatë javës, ndërsa forcat amerikane kanë marrë masa të ashpra për të parandaluar vendosjen e minave detare.
Ndërkohë, delegacioni amerikan, i udhëhequr nga Kushner dhe Witkoff, ndodhet në Islamabad në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Sipas raportimeve, një mundësi për një raund të ri bisedimesh mund të jetë të hënën.
Në mediat iraniane u raportua gjithashtu për një dorëheqje të mundshme të kryeparlamentarit Mohammad Bagher Ghalibaf nga grupi negociator, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, por lajmi u përgënjeshtrua më pas nga zyra e tij.
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika kyçe e përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit. Që nga mesi i prillit, kur u intensifikuan operacionet ushtarake, janë raportuar dhjetëra sekuestrime anijesh që tentonin të kalonin në këtë korridor strategjik.



