Përmbytje në Spanjë, 1 viktimë, rreth 90 persona shpëtohen nga ujërat e rrëmbyeshëm

Përmbytje në Spanjë, 1 viktimë, rreth 90 persona shpëtohen nga ujërat e rrëmbyeshëm

Përmbytjet kanë goditur disa zona të Spanjës, duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa një e moshuar ka humbur jetën. Rrugët u kthyen në përrenj të rrëmbyeshëm, ndërsa ujërat morën me vete dhjetëra automjete dhe bllokuan banorë e turistë, sipas mediave te huaja.

 

Rreth 90 persona janë shpëtuar nga ekipet e emergjencave në rajonet jugore dhe lindore të vendit. Ndërkohë, një grua 102-vjeçare u gjet e pajetë në banesën e saj, e cila ishte përmbytur nga reshjet. 

 

Në qytetin Madrigal, rreth 190 kilometra në veriperëndim të Alicante-s, janë regjistruar 140 milimetra reshje brenda vetëm dy orësh e gjysmë. Ujërat përfshinë rrugët dhe banesat, duke lënë njerëz të bllokuar.

 

Pamjet nga zonat e prekura tregojnë automjete të grumbulluara njëra mbi tjetrën nga forca e ujit, ndërsa disa banorë janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga ballkonet e banesave të tyre. Reshje intensive dhe stuhi kanë goditur gjithashtu zona të Costa Blanca-s, ku autoritetet kishin vendosur alarme portokalli dhe të verdha për shkak të rrezikut nga moti ekstrem.

 

Ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet në zonat e përmbytura.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy