Hungarezët zgjedhin sot se kush do t’i qeverisë në vitet e ardhshme. Me një pjesëmarrje të lartë votuesish, procesi ka nisur në mëngjes herët për t’u mbyllur në orën 19:00.
Në orën 13:00, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve, 54.14% e votuesve kishin hedhur votat e tyre, duke konfirmuar një pjesëmarrje të jashtëzakonshme.
Shifra shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2022, kur ajo luhatej rreth 40% në të njëjtën kohë.
Votimi i sotëm është përballja finale mes Fidesz të kryeministrit Viktor Orban dhe liderit të opozitës, Peter Magyar. Pas javësh sondazhe, opsionet mbeten të hapura: një rizgjedhje e qartë (edhe pse shihet si e pamundur) për Orbanin ose një fitore dërrmuese për sfiduesin e tij.
Një fitore e ngushtë e cilitdo do ta tërhte vendin në negociata të zgjatura dhe të paparashikueshme. Me një rrezik shtesë: në rast të një rezultati të ngushtë, asnjëri pretendent nuk do të ishte i gatshëm të pranonte menjëherë humbjen.
Ndërkohë, enigma e ekstremit të djathtë peshon shumë. Rezultati i Mi Hazank (Atdheu Ynë) - e vetmja parti përveç dy pretendentëve kryesorë që pritet të kalojnë pragun prej 5% - mund të jetë vendimtare për mbijetesën e Orbanit, madje edhe përmes mbështetjes së jashtme.
Atmosfera e tensionuar është nxitur më tej nga polemika e fundit mbi vendimin e opozitës për t'u mbledhur në Sheshin Batthyany - përpara Parlamentit dhe në një distancë të shkurtër nga rezidenca e Orbanit - natën e zgjedhjeve.
"Duhen vetëm disa minuta për të kaluar nga vëzhgimi në veprim", paralajmëroi zëdhënësi Zoltan Kovacs, duke e parë vendimin si një provokim për të kërkuar "përshkallëzim".
Pas numërimit, loja do të tronditet gjithashtu nga një pikëpyetje e mëtejshme mbi rolin e Presidentit Tamas Sulyok, i afërt me Fidesz, gjë që mund të vonojë procesin e formimit të qeverisë. Magyar nuk i ka mbajtur sekret qëllimet e tij: nëse fiton, ai do t'i kërkojë kreut të shtetit të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, Orban është i bindur te fitorja. “Jam këtu për të fituar", tha ai sot menjëherë pasi hodhi votën në kuti.
"Vendimi i popullit duhet të respektohet", theksoi ai në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.



