Një hetim ka identifikuar 890 llogari bankare në bankën zvicerane Credit Suisse, të cilat dyshohet se kanë lidhje me regjimin nazist.
Lajmin e bëri me dije senatori amerikan Chuck Grassley (Republikan, Iowa).
Grassley bëri të ditur se në këto llogari përfshihen edhe llogari të panjohura më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat dyshohet se i përkisnin Ministrisë së Jashtme gjermane, një kompanie gjermane të prodhimit të armëve dhe Kryqit të Kuq gjerman.
Hetimi është duke u zhvilluar nga ish-prokurori amerikan Neil Barofsky, me të cilin po bashkëpunon banka UBS, e cila e bleu Credit Suisse në vitin 2023 gjatë një marrjeje emergjente.
Senatori Grassley tha se ka marrë dy raporte dhe një përditësim hetimor mbi ecurinë e hetimit dhe se provat e gjetura tregojnë se marrëdhëniet bankare të Credit Suisse me organizatën paramilitare naziste SS kanë qenë më të gjera nga sa ishte raportuar më parë, duke përfshirë edhe një llogari të mbajtur nga krahu ekonomik i SS-së.
Sipas Grassley, janë zbuluar gjithashtu detaje të reja mbi një skemë që dyshohet se ka ndihmuar nazistët të arratisen drejt Argjentinës pas luftës.
Nga ana tjetër, UBS deklaroi se pranon dhe shpreh keqardhje të thellë për faktin se periudha e Luftës së Dytë Botërore ka qenë një kapitull i errët në historinë e bankave zvicerane.
Presidenti i UBS Americas, Robert Karofsky, u shpreh se banka i qaset kësaj çështjeje “me respekt solemn” dhe se pas marrjes së Credit Suisse, UBS është angazhuar plotësisht për të çuar përpara hetimin, duke ndërmarrë hapa të shumtë për të lehtësuar procesin.
UBS dhe Credit Suisse kanë deklaruar se më parë kanë kërkuar falje dhe kanë arritur një marrëveshje globale në vitin 1999, e cila synonte të mbyllte përfundimisht pretendimet dhe polemikat lidhur me këtë çështje.



