Raundi i dytë i zgjedhjeve në Francë ka rezultuar me fitoren e socialistëve dhe aleatëve të tyre, të cilët siguruan shumicën në 4 qytete kryesore, Paris, Marsejë, Lion dhe Lilë. Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, e Marine Le Pen, fitoi balotazhin e dytë në disa qytete por dështoi në Marsejë, Tulon dhe Nîmes, tre nga objektivat e saj kryesorë.
Në kryeqytet, Emmanuel Grégoire u zgjodh kryetar i ri i Bashkisë së Parisit, duke zëvendësuar Anne Hidalgo, e cila nuk kandidoi për një mandat të tretë, ndërkohë që kjo fitore tregoi edhe një herë se Parisi është një bastion i fortë i së majtës.
Kursen ë Lion fitoi Grégory Doucet, pavarësisht bashkëpunimit me LFI-në, në një garë ku kundërshtari i djathtë zhvilloi një fushatë të dobët, Kurse Partia e Rilindjes e presidentit aktual Emmanuel Macronit tani kontrollon Bordeaux dhe Annecy, dhe nga ekspertët këto cilësohen si dy fitoret e saj të para të mëdha lokale.
Kryebashkiaku i Nicës u zgjodh Eric Ciotti, i cili u përpoq dy vjet më parë të arrinte një marrëveshje me Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen si kreu i Les Républicains konservatore. Fitorja e tij konsiderohet edhe si një fitore e pjesshme për partinë e Le Pen dhe Jordan Bardella-s, e cila tani ka një aleat të fuqishëm, por triumfi i Ciotti-t ishte gjithashtu rezultat i një rivaliteti lokal . Zgjedhjet bashkiake në Francë janë gara lokale për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshillat lokale, por ato monitorohen nga afër sepse vënë në provë organizimin e partisë, ndërtimin e aleancave dhe forcën bazë përpara se të fillojnë fushatat kombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare pjesëmarrja në votime ishte e ulët. Këto zgjedhje shihen në Francë si një provë e rëndësishme për partitë politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, kohë kur mbaron edhe mandati i Presidentit Emmanuel Macron.



