Pas një vale të fortë të të nxehtit në muajin maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar në Berlin udhëzime të reja globale për përshpejtimin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe për përmirësimin strukturor të sistemeve shëndetësore dhe hapësirave urbane.
Sipas të dhënave të reja, gjatë katër viteve të fundit nxehtësia ekstreme ka shkaktuar mbi 200,000 viktima në të gjithë Evropën, duke u konsideruar si një nga rreziqet më vdekjeprurëse të lidhura me klimën. Parashikimet tregojnë se pa masa efektive, numri vjetor i viktimave në rajon mund të arrijë deri në 120,000 deri në vitin 2050.
Drejtori i Rajonit Evropian të OBSH-së, Hans Henri P. Kluge, theksoi se Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër dhe se pasojat po reflektohen drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.
Sipas OBSH-së, valët e të nxehtit nuk duhet të trajtohen më si emergjenca të izoluara, por si një sfidë strukturore që kërkon ridizajnimin e qyteteve, vendeve të punës dhe sistemeve shëndetësore.
Kuadri i ri i organizatës përfshin elementë si qeverisja, sistemet e paralajmërimit, mbrojtja e grupeve në rrezik, komunikimi dhe forcimi i qëndrueshmërisë.
Ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura urbane aktuale e përkeqëson efektin e nxehtësisë, për shkak të materialeve që thithin dhe mbajnë temperaturën e lartë.
Në këtë kontekst, qytetet e mëdha konsiderohen veçanërisht të rrezikuara gjatë muajve të verës.
Në përgjigje të kësaj situate, planifikuesit urbanë po nxiten të zbatojnë konceptin e “qytetit-sfungjer”, duke zëvendësuar betonin me sipërfaqe të përshkueshme, duke shtuar hapësira të gjelbra dhe duke përdorur materiale që reflektojnë nxehtësinë.



