Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi të premten se vendi “nuk po përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak”, pasi një dron hyri në hapësirën ajrore pranë Helsinkit.
Shefi i operacioneve të Forcave të Mbrojtjes finlandeze, Kari Nisula, bëri të ditur se Finlanda kishte marrë paralajmërim përmes kanaleve të inteligjencës ushtarake mbi afrimin e dronëve, por refuzoi të zbulojë burimin e informacionit.
Sipas autoriteteve, avionët luftarakë të Forcave Ajrore finlandeze u ngritën mbi kryeqytetin Helsinki dhe Gjirin e Finlandës, pasi u identifikua një dron i dyshuar në hapësirën ajrore.
Banorëve të rajonit Uusimaa iu kërkua përkohësisht të qëndronin brenda banesave.
“Falënderoj autoritetet për reagimin e shpejtë ndaj alarmit për dronin këtë mëngjes. Ata treguan se ishin të përgatitur mirë. Gatishmëria u rrit menjëherë. Finlanda nuk po përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak”, shkroi Stubb në rrjetin social X.
Edhe kryeministri Petteri Orpo u bëri thirrje qytetarëve të ruanin qetësinë, duke theksuar se forcat e armatosura kanë shtuar masat e monitorimit dhe kapacitetet mbrojtëse.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme, Mari Rantanen, deklaroi se “rreziku ka kaluar” dhe qytetarët mund të vazhdojnë normalisht aktivitetet e tyre.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën kohë me një sulm masiv ukrainas me dronë ndaj territorit rus.



