Ministrat europianë të mbrojtjes dhanë mbështetje të gjerë për stërvitjen e trupave ukrainase brenda vendit sapo të arrihet një armëpushim me Rusinë, por jo më parë, tha të premten diplomatja më e lartë e bllokut, Kaja Kallas.
“Ne jemi ofruesi më i madh i trajnimit për ushtrinë e Ukrainës. Deri më tani kemi trajnuar mbi 80.000 ushtarë dhe duhet të jemi gati për më shumë”, u tha ajo gazetarëve në Kopenhagen, pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të Bashkimit Europian.
Ministrat ishin të qartë se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë të forta dhe të besueshme.
Diplomatët e Bashkimit Europian i thanë Euractiv se shumë shtete anëtare sinjalizuan të premten se janë të hapura për të ndryshuar mandatin e misionit të trajnimit të bllokut në të ardhmen, gjë që mund të lejojë që trajnimi të zhvillohet brenda Ukrainës sapo të arrihet një armëpushim.
Mandati aktual i misionit, i zgjatur deri në fund të vitit të ardhshëm, e kufizon trajnimin brenda BE-së.
Ideja e zgjerimit të saj në Ukrainë është hedhur edhe më parë. Megjithatë, disa vende mbeten ngurruese, ndërsa është ende e paqartë se kur dhe si mund të arrihet dhe zbatohet një armëpushim.
Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, tha në Kopenhagen se armëpushimi ishte kusht për stërvitjen brenda Ukrainës, një qëndrim që diplomatët e BE-së thonë se ndahet nga disa të tjerë, përfshirë Gjermaninë dhe Belgjikën.
E njëjta gjë vlen edhe për disa mbështetës të vendosur të Ukrainës, të cilët zakonisht anojnë më shumë nga mbështetja ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Spruds, tha se së pari “duhet të ketë qartësi me parametrat, formatin e armëpushimit ose marrëveshjen e paqes”.
Në të kundërt, Franca dhe Lituania kanë thënë vazhdimisht se janë të gatshme të dërgojnë trajnerë në Ukrainë edhe para përfundimit të luftës.



