
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk i kurseu kritikat ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbledhjen e kësaj të fundit të martën. Ai u tha liderëve botërorë të mbledhur në OKB se gjatë një periudhe shtatëmujore u ka dhënë fund "shtatë luftërave që dukeshin sikur nuk kishin të mbaruar”, por vetë OKB-ja pak ndihmë i ka ofruar për këtë.
“Cili është qëllimi i Kombeve të Bashkuara?” pyeti ai, duke shtuar se “gjithë çfarë duket se bëjnë është të shkruajnë një letër me fjalë të forta dhe më pas të mos i përmbahen asaj. Janë fjalë boshe dhe fjalët boshe nuk e zgjidhin luftën.”
Duke iu referuar Çmimit Nobel për Paqen, për të cilin ai është përfolur në disa media, Trump tha se “çmimi i vërtetë do të jetë shpëtimi i miliona jetëve”.
Lidhur me Iranin, të cilin e përshkroi si “sponsori numër një i terrorizmit në botë”, Trump tha se aftësitë e tij të pasurimit janë “shkatërruar plotësisht”, ndërsa theksoi se administrata e tij ka ndërmjetësuar përfundimin e një lufte 12-ditore.
Në lidhje me Ukrainën, Presidenti i SHBA-së tha se kishte menduar se do të ishte konflikti “më i lehtë” për t’u zgjidhur për shkak të marrëdhënies së tij me Presidentin rus Vladimir Putin. Por ndryshe nga kjo, tha ai, lufta zvarritet prej tre vjetësh, “duke marrë pesë deri në shtatë mijë jetë të rinjsh në javë”.
Trump akuzoi gjithashtu vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) për hipokrizi për blerjen e naftës dhe gazit nga Moska ndërkohë që “po luftojnë Rusinë”.
Zgjidhja e propozuar prej tij është tarifa ndëshkuese: “Nëse Rusia nuk e përfundon luftën, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa shumë të rrepta, të cilat do t’ jepnin fund luftës shumë shpejt, por edhe evropianët duhet t’i miratojnë ato.”
Për Gazën, ai kërkoi veprime të menjëhershme për të liruar të gjithë pengjet dhe paralajmëroi se njohja e njëanshme e një shteti palestinez do të përbënte “një shpërblim për Hamasin për mizoritë e tij të tmerrshme”.
“Por, në vend që t’i dorëzohen Hamasit me kërkesën për shpërblim, ata që duan paqe duhet të bashkohen me një mesazh – lironi pengjet tani”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu OKB-në për rinovimin e selisë së saj në Nju-Jork, e cila filloi në vitin 2008. Trump tha se është ofruar për ta rindërtuar selinë e OKB-së për 500 milionë dollarë, por organizata kishte zgjedhur një kontraktor tjetër, duke shpenzuar “2-4 miliardë dollarë, pa përfituar as dyshemetë prej mermeri që u premtova”.
Për migracionin, ai tha se në vitin 2024 OKB-ja shpenzoi “372 milionë dollarë në kesh për të mbështetur 624 000 emigrantë që të udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara për t’u futur përmes kufirit jugor”.
Ai shtoi: “OKB supozohet të ndalojë pushtimin, jo ta promovojë atë.”
Në fund, Trump sulmoi edhe politikat klimatike dhe energjinë e rinovueshme, duke deklaruar se “mullinjtë e erës janë patetikë” dhe duke e quajtur gjurmën e karbonit “një mashtrim”.
“Nëse nuk i shmangeni mashtrimit të energjisë së gjelbër, vendi juaj do të dështojë”, sepse “energjia dhe imigracioni i hapur po shkatërrojnë Evropën”, tha ai duke theksuar se “Kina tani prodhon më shumë CO2 se të gjitha vendet e tjera të zhvilluara në botë”.



