Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk përjashton mundësinë e një konflikti ushtarak me Venezuelën. Në një intervistë telefonike për NBC News, Trump u shpreh: “Nuk e përjashtoj, jo.”
Trump ka urdhëruar javën e kaluar një “bllokadë” ndaj tankerëve të naftës të Venezuelës, duke rritur presionin ndaj presidentit Nicolás Maduro. Administrata amerikane ka kryer gjithashtu goditje ndaj disa anijeve, që kanë rezultuar në më shumë se 100 viktima, duke përfshirë edhe një operacion të diskutueshëm të quajtur “double tap” që po shqyrtohet nga Kongresi.
Kur u pyet nëse synimi i tij është largimi i Maduros, Trump shmangu një përgjigje të qartë, duke thënë vetëm: “Ai e di saktësisht se çfarë dua. Ai e di më mirë se kushdo tjetër.”
Deklarata e tij tregon një kthim nga qëndrimi i tij i zakonshëm si pjesë e krahut më të moderuar të Partisë Republikane, pasi gjatë fushatës së 2024 ai kishte premtuar se do të mbante SHBA jashtë konflikteve të huaja.
Në të njëjtën intervistë, Trump foli edhe për politikën ekonomike dhe shëndetësore. Ai njoftoi një bonus për ushtarakët prej 1,776 dollarësh, i cili do të paguhet për rreth 1.5 milionë anëtarëve të forcave të armatosura, dhe do të financohet nga ligji “One Big Beautiful Bill” dhe të ardhurat nga tarifat.
Në lidhje me shëndetësinë, Trump kritikoi kompanitë e sigurimeve, duke thënë se qytetarët duhet të kenë mundësinë të blejnë sigurimin e tyre shëndetësor me kosto më të ulët dhe përfitime më të mira. Ai gjithashtu mohoi nevojën për të hequr ligjin e “Affordable Care Act” (Obamacare), duke argumentuar se ai do të “shkrihej vetë” për shkak të kostove të larta.
Sa i përket zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor të vitit të ardhshëm, Trump shprehu shpresën se republikanët do të ruajnë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit: “Mendoj se po. Sigurisht që shpresoj se po.”



